Andrei Lako – Student KPGJT
  • By KPGJTWeb
  • 6 Shtator, 2023
  • No Comments

Andrei Lako – Student KPGJT

Andrei Lako, i riu këmbëngulës dhe ambicioz që po ia kushton çdo gjë profesionit të Inxhinierit të Automobilave.

Një rrëfim për shkollën, pasionin, profesionin dhe punën që sapo ka nisur në Albsig.

Makinat i ka cilësuar si pasionin e jetës. Tashmë pasionin po e kthen në profesion dhe duket se i ka hapur dyert e para të jetës në rrugën e gjatë të karrierës.

“Që kur isha fëmijë ashtu si çdo djalë i kisha shumë pasion makinat. Po ajo që besoj më veçonte nga të tjerët është se unë sa i blija makinat i çmontoja dhe i montoja vetë. Mbaj mend se babai im më ka blerë një makinë të madhe lodër me ingranazhe që kishte shumë butona për ta hapur dhe unë edhe pse isha ende pa i berë 10 vite e çmontova dhe sërish e montova si duhet. Kisha dhe e kam këtë pasion për automjetet që të mësoj çdo gjë rreth tyre”.

Kështu nis tregimin e tij Andrei Lako Studenti i vitit të dytë të KPGJT, në Tiranë. Sapo ka mbushtur të 20-tat dhe tashmë ka startuar profesionin e tij të ëndërruar prej fëmijërisë së hershme. I riu nga Korça ka spikatur në fushën e automobilave. Ndër grupin e studentëve të KPGJT ai është veçuar si studenti më i mirë i degës së automobilave. Në një intervistë për Newsletter Albsig, Andrei tregon me detaje rrugëtimin e gjatë dhe të rëndësishëm në studimet e tij në KPGJT, i cili u finalizua në fund të vitit të parë me një emërim pune.

Si të lindi idea të përzgjedhësh KPGJT, si u njohët me kolegjin?

Jam ndikuar edhe nga babai im sepse me profesion ishte shofer. Duke mësuar makinën që i vogël, jo vetëm për ta ngarë atë, por edhe për ta rregulluar në disa probleme të vogla, isha më shumë i lidhur me këtë pjesë. Më pëlqente shumë montimi dhe çmontimi i makinave. Unë si një i ri i kthyer nga jashtë dhe i joshur për të ikur sërish doja të zgjidhja një shkollë bashkëkohore. Një shkollë që më hap dyert e jetës, dhe kështu bëra, zgjodha KPGJT, i cili jo vetëm që më përkrahu në rrugën e dijes, por më ndihmoi shumë që të nxirrja në pah të gjithë dhuntitë e veçanta të pasionit tim për makinat. Jo vetëm kaq, por duke u njohur dhe me programin e veçantë që ka kolegji dhe me modelin gjerman u josha nga veçantia që kolegji ka dhe u regjistrova.

Si ka qenë viti i parë i KPGJT për ju?

Me këtë mundësi që mua mu dha dua t’ju bëj thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të mi që të regjistrohen në degët e KPGJT. Edhe pse sapo ka startuar, KPGJT është mundësia e artë për çdo të ri shqiptar.

Semestri i parë filloi i qetë, sapo u ambientuam me auditorët dhe me stafin akademik. Ndërsa semestri i dytë ishtë shumë interesant dhe me shumë vlera profesionale. Sistemi dual i praktikuar tek ne, marrëdhënia mësim-praktikë, ka bërë që gjithësecilin prej nesh ta stimulojë në fushën që kemi përzgjedhur. Lënda Elektronikë, ka qenë dhe është lënda ime e preferuar. Vizitat në kolegjet e tjera dhe në firmat e ndryshme kanë qenë shumë inspiruese për ne. Gërshetimi i praktikës me teorinë në terren ka bërë që gjithësecili prej studentëve të aktivizohet në fushat përkatëse.

Si ju erdhi oferta për punë?

Pasi përfundova vitin e parë, edhe pse si studentët e tjerë për të përballuar jetesën në Tiranë isha në punë, por jo në profesionin tim, mu dha mundësia që të bëj një intervistë pranë Shoqërisë së Sigurimeve Albsig. Edhe pse në fillim mu duk një hap i pabesueshëm, unë ja dola. Pas intervistës unë u emërova si specialist dëmesh të makinave në Departamentin e Dëmeve në Albsig. Fillimisht jam trajnuar nga inxhinierët me përvojë të Albsig-ut për profilin që kam përzgjedhur, më pas kam nisur të praktikoj shërbimin me klientët, pritjen e klientëve deri në kompletimin e dosjeve për dëmshpërblim.

Ku e shikon veten pas mbarimit të shkollës?

Meqë puna ime këmbëngulëse në shkollë ma dha mundësinë edhe për punë shpresoj të fuqizohem në pozicionin që më është besuar në Albsig, pjesë e Kastrati Group. Shpresoj që duke marrë përvojën e duhur në Albsig të jem i aftë për çdo punë që mund të lidhet me profesionin tim. Uroj dhe shpresoj që të rinjtë të zgjedhin KPGJT sepse është mundësia e artë që ata kanë ëndërruar. Falë KPGJT unë munda të gjej qetësinë dhe mundësinë për një të ardhme të sigurt.